Rabotniçki-Bellasica, statistika dhe kuriozitete rreth këtij takimi

Rabotniçki tashmë 3 ndeshje me rradhë nuk dinë për fitore, duke pësuar disfata në të gjitha këto ndeshje, ndërsa në anën tjetër kundërshtari i tyre, Bellasica me ndryshimet e fundit rreth emrave të ri në skuadër, ka shënuar një progres, ndërsa këtë më së miri e dëshmojnë edhe tre fitoret e njëpasnjëshme, përfshirë këtu edhe atë në kuadër të ndeshjes së parë të 1/8 së finales kundër Pelisterit në Manastir. Për më tepër në të gjitha këto tre fitore Bellasica nuk ka pranuar gol, ndërsa vlen të ceket se në 4 ndeshjet e fundit kampionale kjo skuadër ka regjistruar dy fitore dhe dy barazime, duke konfirmuar formën e mirë në të cilën ndodhet.

Megjithatë bazuar në lojën e ndeshjes së fundit, Bellasica nuk bindi edhe aq shumë edhe përkundër fitores që morri. Kjo skuadër në 20 minutat e fundit vetëm mbrohej, ndërsa gjithashtu mjaft të disponuar në portë kishte edhe portierin Nikolla Vujanac, që ndalte goditjet e futbollistëve të FC Shkupit.

Në anën tjetër Rabotniçki në këtë ndeshje vjen pas asaj disfate turpëruese ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit në transfertë. Kur pritej që “romantikët” të reagojnë pikërisht ndaj një kundërshtari më të dobët si Makedonija Gj.P., ata morrën edhe një goditje tjetër, duke pësuar edhe disfatën e tretë rresht, ku kanë pranuar plotë 11 gola, 6 prej të cilëve në ndeshjet e javës së 5-të ndaj Shkëndijës në Tetovë.

A ËSHTË MOMENTI QË RABOTNIÇKI TË REAGOJË?

Terreni vendas, por edhe një pedagog siç është vetë trajneri Gjore Jovanovski japin shpresa se Rabotniçki mund të rikthehet dhe të ndërpresë serinë negative. Mirëpo duke pasur parasysh edhe formën momentale të futbollistëve të Bellasicës dhe atmosferën pozitive që mbizotëron te kjo skuadër, Rabotniçki do ta ketë mjaftë të vështirë. Nëse Petar Petkovski është në formën e tij të duhur dhe nëse Stjepanoviç arrinë të lidh mirë lojën e “romantikëve” në mesfushë, atëherë shpresat janë të mëdha, mirëpo nëse këta dy nuk janë në nivelin e duhur, atëherë Rabotniçkit nuk i shkruhet mirë.

MUNGESAT

Mungesa më e madhe te Bellasica pa dyshim se do të jetë mungesa e sulmuesit veteran, Zoran Baldovaliev. Ky i fundit u dëmtua në ndeshjen e fundit ndaj FC Shkupit, me ç’rast ishte i detyruar që të lëshoj fushën në minutën e 58-të. Pikërisht falë golit të tij Bellasica kishte mundur FC Shkupin, ndërsa vendin e tij me shumë gjasa do ta zë Filip Ivanovski, një tjetër sulmues i spikatur, i cili ditën e fundit të merkatos vendosi të përforcojë sulmin e skuadrës nga Bellasica. Ai për herë të parë luajti në ndeshjen ndaj Renovës, kur u inkuadrua në lojë si zëvendësues  dhe shënoi pikërisht falë assitit të Baldovaliev, ndërsa sot ndaj Rabotniçkit ka gjasa që të luaj nga minuta e parë.

Në anën tjetër te Rabotniçki vazhdon të mbetet jashtë kombinimit mesfushori serb Ljubomir Stefanoviç, ndërsa gjithashtu për ndeshjen e nesërme do të mungojë edhe kolumbiani, Sebastian Herera.

HISTORIA

Rabotniçki në 4 ndeshjet e fundit kampionale nuk njeh disfatë përballë Bellasicës, ndërsa në ndeshjen miqësore të zhvilluar gjatë këtij viti, këto dy skuadra barazuan pa gola. Rabotniçki në 4 ndeshjet e fundit që ka zhvilluar si vendas ndaj Bellasicës ka regjistruar 3 fitore dhe vetëm një barazim, me gol-averazh 9:1, ndërsa gëzon fakti se deri më tani në të gjitha ndeshjet e tyre kampionale ka pasur gola. Ndryshe në 9 ndeshjet që kanë zhvilluar këto dy skuadra, Rabotniçki ka arritur 7 fitore, kundrejt vetëm një fitoreje të Bellasicës, ndërsa vetëm një ndeshje është mbyllur me barazim. Ndeshja e vetme që është mbyllur me rezultatin e barabartë 1:1, ishte ajo e vitit 2004, kur njëjtë sikurse këtë edicion, zhvillohej në kuadër të javës së 8-të.

Leave a Reply