Dy muaj e gjysmë pasi këputi ligementet, sulmuesi 23 vjeçar i Shkëndijës, Marjan Radeski po shikon me pozitivitet përpara pasi ka mbëritur në mes të fazës së riaftësimit pas lëndimit të rëndë të gjurit të këmbës së djathtë.
Ai ndjehet shumë më mirë për momentin dhe vazhdon me përkushtim të ndjekë instruksionet e mjekëve që kujdesen për rikuperimin e tij.
Pas ndërhyrjes së patjetërsueshme kirurgjikale sulmuesi kishte një muaj pauzë totale nga çdo aktivitet fizik, për të filluar më pas procesin e rehabilitimit fillimisht me lëvizje të lehta. Tashmë dy javë Radeski po qëndron në Daruvarske Toplice të Kroacisë, ku është duke zhvilluar fazën e rradhës të rikuperimit.
“Të them të drejtën ndjehem shumë mirë dhe jam duke punuar shumë fortë në këtë fazë. Vendim i duhur ishte të vija këtu në Kroaci ku kam plan pune shumë intenziv për çdo ditë. Për fat të mirë gjithçka është duke shkuar sipas planit dhe mjekët e trajnerët habiten me intensitetin e përmirësimit të gjurit dhe muskujve”, shprehet Marjan Radeski, i cili do të qëndrojë në Daruvarske Toplice deri më 4 tetor para se të kthehet në Maqedoni për të vijuar fazën e rradhës të rikuperimit.
“Ka dy javë që gjendem në Kroaci dhe për të kompletuar tre javët e nevojshme do të qëndroj deri më 4 tetor. Punoj kryesisht ushtrime force të këmbës së lënduar, pa anashkaluar edhe tjetrën në interes të mbajtjes së balansit. Së shpejti pritet të filloj edhe me vrapime të lehta, që ky lloj lëndimi lejon pasi të kalojnë tre muaj nga lëndimi. Javën e ardhshme kthehem në shtëpi, ku do të kem program tjetër për të vazhduar rikuperimin dhe sipas asaj që më thonë nga ekipi mjekësorë, pritet të jem i gatshëm për startin e përgatitjeve dimërore”, thotë Radeski.
Sulmuesi me origjinë nga Prilepi këputi ligamentet e kryqëzuara më 17 korrik në takimin e kthimit të xhiros së parë eliminatore të Ligës së Kampionëve kundër skuadrës uellsiane të Nju Seints, që praktikisht e detyrojnë të humbasë gjithë gjysmëstinorin vjeshtor.