FC Shkupi asesi të gjejë fitoren e parë në transfertë në sezonin 2018/2019. Skuadra nga Çairi sot në kuadër të javës së 7-të pësoi disfatë minimale 0:1 ndaj Bellasicës, skuadër kjo që në anën tjetër lidhi dy fitore të njëpasnjëshme, duke realizuar në këtë mënyrë fitoren e parë para publikut vendas, njofton “infOSport.mk”.
Golin e vetëm dhe të fitores për skuadrën e Bellasicës e realizoi Zoran Baldovaliev që në minutën e 7-të.
Skuadra nga Çairi rastin më të mirë për të barazuar rezultatin e kishte në minutën e 19-të kur në skenë doli dyshja e talentuar, Besir Ramadani – Suhel Muharemi.
I pari goditi nga distanca, ndërsa portieri Nikola Vujanac me forcat e tij të fundit arriti që të ndal këtë goditje, mirëpo duke devijuar topin vetëm deri te Suhel Muharemi, i cili fillimisht me këmbën e tij të majtë goditi traverzën, ndërsa në tentativën e tij të dytë me kokë qëlloi vetëm shtyllën.
Gjatë pjesës së dytë, në veçanti në 20 minutëshin e fundit të takimit loja zhvillohej vetëm në gjysmëfushën e Bellasicës, mirëpo pa ndonjë rast konkret para portës së vendasve, të cilët në fund iu gëzuan fitores, duke bërë që FC Shkupi për në Çair të rikthehet duarbosh, transmeton “infOSport.mk”.
Me këtë fitore Bellasica tashmë me 8 pikë renditet në pozitën e 6-të, ndërkohë FC Shkupi ndodhet vetëm në pozitën e parafundit me 5 pikë, po aq sa ka edhe Sileksi në pozitën e fundit.