Fjalimi i Luka Modriç pas fitores së çmimit “The Best” ishte mjaft i veçantë. Kroati foli në gjuhën angleze, spanjolle e kroate, ndërsa me fjalët që than në gjuhën e tij, bëri të përlotej një nga legjendat e futbollit botëror si Zvonimir Boban, i cili ishte i pranishëm në sallë.
“Ky është një nder i madh, një ndjesi e veçantë të mbaj këtë trofe. E para që dua të bëj është të uroj Salah dhe Ronaldon për sezonin e shkëlqyer. Jam sigurt që në të ardhmen do të kesh një mundësi tjetër për të fituar këtë trofe”, tha kroati duke iu drejtuar Salah.
“Ky trofe nuk është vetëm për mua, është për të gjithë shokët e mi te Real Madrid dhe Kroacia, të gjithë trajnerët e mi, pa ata kjo nuk do të ishte e mundur. Gjithashtu edhe për familjen time, pa të cilën nuk do të isha as lojtari dhe as njeriu që jam sot. Faleminderit të gjithë tifozëve në botë për mbështetjen që më treguan, do të thotë shumë për mua. Dua të falënderoja të gjithë ata që më votuan”, vijoi ai ndërsa më pas foli edhe në gjuhën kroate dhe kishte një përshëndetje shumë të veçantë.
“Do të më pëlqente të përmendja idhullin tim, kapitenin e Kroacisë 1998, atë që më frymëzoi, Boban, dhe atë ekip të Kroacisë që na shërbeu si frymëzim të gjithëve. Ne shpresojmë që të shërbejmë si frymëzim për brezat që vijnë. Të gjithë mund të jemi më të mirë. Me shumë punë, besim dhe vendosmëri, të gjitha ëndrrat mund të bëhen realitet”, tha Modriç, ndërsa Boban i ulur në sallë u filmua nga kamerat teksa fshinte lotët. (vipsport.al)