Triumfi 2:1 në fushë të Sileksit në kuadër të xhiros së gjashtë në LPFM me gol të shënuar në kohën shtesë vlerësohet me nota pozitive nga trajneri Osmani që sërish potencon se skuadra mundet edhe më mirë.
Gjithsesi sipas teknikut kuqezi futbollistët nuk mundën të zhvillojnë lojën e dëshiruar në një terren jo aq ideal, ndërsa vendimtar ishte klasi i Ibraimit në çastet e fundit të takimit.
“Edhe pse nuk e luajtëm lojën tonë më të mirë, me rëndësi është që morrëm tre pikët. Kemi përmendur shpesh karakterin e skuadrës dhe sot ekipi dëshmoi edhe një herë pasi kur me 10-të lojtarë pranuam gol më pas reaguam duke shënuar golin e fitores. E përsëris se nuk ishim në nivelin tonë dhe arsyeja mbase është te gjendja e terrenit që nuk lejonte të zhvillojmë lojën që duam, rrjedhshëm si në ndeshjet e kaluara“, – deklaroi trajneri Qatip Osmani.
Shkëndija dje në Kratovë mundi Sileksin me rezultatin 2:1 falë një super goli të shënuar nga Besart Ibraimi në minutën e 92-të, duke vazhduar serinë e ndeshjeve pa humbje në këtë fillim sezoni. Pas 6 xhirove Shkëndija ka regjistruar 4 fitore dhe 2 barazime, dhe aktualisht me 14 pikë mban pozitën e dytë në renditje, me një pikë më pak se skuadra kryesuese e Akademia Pandev.