Skuadra kampione në fuqi e Kosovës, Drita, ka shënuar fitore në përballjen me Prishtinën, në kuadër të javës së 6-të në IPKO Superligë, duke regjistruar në këtë mënyrë fitoren e parë pas katër humbjeve radhazi.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Gjilan, që ishte i mbushur me tifozë, u mbyll me rezultat 1:0, ku golin e vetëm e realizoi Arbër Shala, në minutën e 59-të. Kësisoj, Shpëtim Duro debutoi me fitore në bankinën e Dritës dhe tashmë kjo skuadër shpreson të rikthehet ngadalë në formën e saj më të mirë dhe të ngjitet në kreun e renditjes.
Ndërkohë, fitore ka realizuar edhe Gjilani, që si mysafir e ka mposhtur Ferizajn, me rezultat 2:0. Golat për Gjilanin i shënuan Vilber Peres, në minutën e 62-të dhe Edon Sadriu, në minutën e 87-të.
Kësisoj dy skuadrat nga qyteti i Gjilanit ndeshjen mes tyre në kuadër të javës së 7-të e mirëpresin në atmosferë të mirë.