Arsenali e nisi mbarë sezonin e ri në Liga Europa, pasi që në start shënoi fitore 4:2 ndaj Vorskla Poltavës. Ky sukses i “topçinjëve” e bëri krenar trajnerin e tyre, Unaj Emeri i cili realizoi fitoren e 32-të nën drejtimin e një skuadre në kuadër të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm europian në nivel klubesh.
Kjo përbën një rekord, ndërsa duke parë moshën relativisht të re të strategut spanjoll, ky rekord mund të thellohet edhe më shumë në të ardhmen.
Emeri e fitoi reputacionin e një trajneri fitimtar që kur drejtonte Seviljan, me të cilën skuadër kishte ngritur tre herë rradhazi lartë trofeun e Liga Europa.
I pari trofe erdhi në sezonin 2013-2014, kur skuadra andaluziane në finale mundi Benfikën, për të vijuar vitin pasardhës me triumfin ndaj skuadrës ukrainase të Dnipro Dnipropetrovsk, ndërsa në sezonin 2015-2016 Emeri me Seviljën e tij në finale mundën Liverpullin.
Mbetet të shihet nëse Emeri do të mund të kap finalen këtë edicion me skuadrën e Arsenalit, që vitin e kaluar u mposht nga Atletiko Madridi në gjysmëfinale.