Sampdoria dhe Fiorentina kanë barazuar 1:1 në ndeshjen e zhvilluar në “Luixhi Feraris”, ndeshje kjo e mbetur e javës së parë në “Serie A”. Në këtë mënyrë të dyja skuadrat arritën në kuotën e 7 pikëve, 5 më pak se skuadra kryesuese e Juventusit, me Sampdorian që renditet në pozitën e katërt për shkak gol-averazhit më të mirë.
Në minutën e 13-të mysafirët avansuan falë golit të shënuar nga Xhovani Simeone, i cili nga afër shënoi me kokë pas asistit të Kristiano Biragit.
Sampdoria barazoi pas një ore lojë. Karpari shënoi pas një goditje precize nga vija e zonës kundërshtare, kur qëlloi këndin e poshtëm të rrjetës së Bartolomej Dragovskit.
Në fundin e takimit Fiorentina humbi një rast ideal, pasi goditjen e Nikola Milenkoviç në mënyrë bravuroze e ndali portieri, Emil Audero.