Bregallnica-A. Pandev, statistika dhe kuriozitete që duhet ti dini rreth këtij takimi

Bregallnica mirëpret Akademia Pandevin në ndeshjen e parë të 1/8 së finales. Skuadra mysafire nga Strumica shihet si favorit në këtë përballje, pas startit shumë pozitiv që bëri në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë. Skuadra e trajnerit Jugosllav Trençovski në 5 ndeshjet e para ka regjistruar 4 fitore dhe vetëm një disfatë, ndërsa gjithashtu pa shumë probleme eliminoi edhe Labunishtën në kuadër të raundit të parë të Kupës së Maqedonisë.

Akademia Pandev sezonin e kaluar luajti deri në gjysmëfinale, ku u eliminua vetëm përmes penaltive nga Pelisteri, skuadër kjo që më pas u mund në finalen e madhe nga Shkëndija (3:0). Ambiciet e këtij klubi edhe këtë vit janë për të shkuar sa më larg në këtë kompeticion, ndërsa mund të shfrytëzojnë edhe momentin jo edhe aq të mirë te skuadra kundërshtare e Bregallnicës, e cila u mund në ndeshjen e fundit kampionale kundër Borecit, rivalit kryesor në Ligën e Dytë – Lindje. Pikërisht këto dy skuadra shihen si pretendentët kryesor për inkuadrim në Ligën e Parë, ashtu që me shumë gjasa e gjithë vëmendja e skuadrës nga Shtipi do të jetë e përqëndruar në kampionat.

MUNGESAT

Te Bregallnica nuk ka mungesa, ashtu që të gjithë futbollistët do të jenë gati për përballjen me Akademia Pandev, te e cila skuadër edhe në këtë ndeshje do të mungojë Mihajllov. Lajm i mirë për trajnerin Trençovski, është rikthimi i mbrojtësit Stojçevski, i cili bashkë me Vançe Shikov pritet të përbëjë dyshen e fundit në mbrojtje.

FUTBOLLISTË TË DALLUAR

Te Akademia Pandev si lider i skuadrës mund të konsiderohet kapiteni Lupçe Doriev, i cili përveç një futbollisti me karakter të fortë, së fundmi po i dëshmon edhe aftësitë e tij realizuese. Ai në ndeshjen e fundit ndaj Sileksit realizoi dy gola (një nga penaltia), dhe ishte ndër më të merituarit për atë fitore të madhe 3:0, që ngriti edhe me shumë vetëbesimin te kjo skuadër që shihet si favorit edhe në përballjen e sotme ndaj Bregallnicës.

Në anën tjetër te Bregallnica si emra që mund të veçohen janë sulmuesi veteran Riste Naumov, i cili ka edhe një karrierë ndërkombëtare, ndërsa pa dyshim se motori i skuadrës në mesfushë është ish futbollisti i Shkëndijës, Ivan Mitrov, një futbollistë mirë i përgatitur fizikisht që punon shumë në terren.

Leave a Reply