Tikveshi dhe Rabotniçki në një ndeshje zyrtare mes tyre takohen për herë të parë pas plotë 14 viteve. Fati deshi që këto dy skuadra të takohen në fazën e 1/8 së finales, ku skuadra shkupjane futet si favoritë absolut.
Tikveshi është nga qyteti i Kavadarit, një qytet ky i vogël që e don futbollin, mirëpo që tashmë më shumë se një dekadë e gjysmë nuk mund të shijojë kënaqësinë e të qenurit nikoqir i ndeshjeve të Ligës së Parë. Në mungesë të futbollit të madh në elitë, ky qytet mund të lëvdërohet me skuadrën e futsalit Crna Reka, që këtë vit do të garojë në mesin e më të mirëve në futsalin vendor.
Tikveshi njihet si një skuadër që pas vetes ka një tifozëri të flaktë. Qyteti jeton për klubin, mirëpo financat e pamjaftueshme kanë bërë që kjo skuadër të kënaqet me ndeshje nga Liga e Dytë. “Lozari” janë tifozët e kësaj skuadre, të cilët e mbështesin skuadrën në ndeshje të rëndësishme, ndërsa mbetet të shihet nëse do të jetë ashtu edhe sot kur në qytetin e tyre do të udhëtojë një ndër skuadrat më të mira vite me rradhë në futbollin e Maqedonisë.
HISTORIA
Tre ndeshjet e fundit mes këtyre dy skuadrave që u takojnë atyre të Ligës së Parë dhe që datojnë nga vitet 2003 dhe 2004 flasin në tërësi në favor të Rabotniçkit, skuadër kjo që i ka fituar që të trija ndeshjet, edhe atë pa pranuar asnjë gol.
MUNGESAT
Te Tikveshi trajneri Dimitkovski do të mund të llogarisë në shërbimet e 11-shes më të mirë që ka në dispozicion. Me shumë gjasa ndaj Rabotniçkit do të zbresë në fushë me 11 emrat e njëjtë sikurse edhe në ndeshjen e fundit kundër Kit Go, kur nxorri një barazim 1:1 falë golit të shënuar nga Ivan Ivanovski.
Në anën tjetër trajneri Gjore Jovanovski nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Oliver Peev, i cili në ndeshjen e fundit kampionale kundër Shkëndijës u ndëshkua me të kuq (dy kartonë të verdhë), ndërsa ende nuk janë plotësisht të rikuperuar portieri Riste Jankov, si dhe mesfushorët Ljubomir Stefanoviç dhe Nikolla Sharkoski.
FUTBOLLISTË TË DALLUAR
Loja e Rabotniçkit në këtë fillim sezoni po bazohet në dyshen Petar Petkovski – Ostoja Stjepanoviç, të cilët kanë shënuar 9 nga gjithsej 10 golat e shënuar të skuadrës shkupjane. Kjo dyshe shënoi edhe në ndeshjen e fundit ndaj Shkëndijës, ndërsa nëse marrin besimin e trajnerit Jovanovski, pa dyshim se do të jenë arma më e fortë e “romantikëve” ndaj Tikveshit. Te kjo skuadër si futbollistë më i dalluar është Gjorgji Mojsov, i cili një periudhë të bukur kishte luajtur edhe te Rabotniçki, ndërsa gjithashtu edhe në shumë skuadra tjera të Ligës së Parë, si Renova, Teteksi, Vardari, etj.
Rabotniçki shihet si favorit absolut në këtë përballje, ndërsa trajneri Jovanovski nuk pritet të bëjë shumë taktizime, sidomos pas asaj disfate të rëndë nga Shkëndija në fundjavë (2:6). Pikërisht kjo disfatë dhe frika nga ndonjë rezultat negativ edhe nga kjo transfertë, mund të shtyejë trajnerin Jovanovski që të dalë në fushë me 11-shen më të mirë, edhe pse nuk përjashtohen edhe disa kalkulime me disa futbollistë që kanë marrë më pak minutazh në ndeshjet e kaluara kampionale.