Vardari-Makedonija Gj.P, statistika dhe kuriozitete që duhet ti dini rreth këtij takimi

Vardari dhe Makedonija Gjorçe Petrovi vetëm brenda një periudhe të shkurtë do të zhvillojnë edhe takimin e katërt mes tyre. Pas dy miqësoreve të zhvilluara në lagjen e Gjorçe Petrovit, në të cilat ishte skuadra e Makedonija GJ.P ajo që shënonte fitore (3:0, 1:0), këto dy skuadra gjatë ditës së sotme do të zhvillojnë ndeshjen e parë të 1/8 së finales në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari, aty ku me 26 gusht Vardari në kuadër të javës së tretë kishte shënuar fitore minimale 1:0.

Autorë i golit të vetëm në atë ndeshje ishte armeni Tigran Barsegian, aktualisht futbollisti më i mirë i “kuqezinjëve” nga Shkupi, i cili për habi të të gjithëve mungoi në ndeshjen e fundjavës kundër FC Shkupit. Ai ishte suspenduar nga ana e trajnerit Aleksandar Vasoski, pasi kishte qenë i padisciplinuar, mirëpo sipas fjalëve të vetë trajnerit të Vardarit, tashmë gjithçka i takon së kaluarës pasi i njëjti kishte kërkuar falje dhe pritet që sot të jetë në formacionin startues.

FUTBOLLISTË TË DALLUAR

Pikërisht  Tigran Barsegian pritet të jetë edhe rreziku më i madh për skuadrën e Makedonija GJ.P, skuadër kjo e cila u paraqit shumë mirë në ndeshjen e fundit në stadiumin e Maxharit, ndërsa ishin superior edhe në përballjen e fundit miqësore, kur turpëruan skuadrën e trajnerit Vasoski, duke e mundur me rezultatin 3:0.

Në anën tjetër te Makedonija Gj.P një lider i vërtetë është Bobi Bozhinovski, i cili me përvojën e tij ndihmon shumë mesfushën e skuadrës nga Gjorçe Petrovi, ndërsa nuk duhet haruar këtu edhe dyshen shqiptare, Sabit Bilali-Ilirid Ademi. Pikërisht ky i fundit ishte njëri prej autorëve të golave në miqësoren e fundit të fituar nga Makedonija Gj.P falë asistit të Sabit Bilalit. Kjo dyshe pritet që të jetë edhe nesër në formacionin e skuadrës “verdhekuq” që do të tentojë të marrë fitoren e parë të këtij edicioni në një ndeshje zyrtare.

MUNGESAT

Te Vardari vazhdon të mungojë Besar Iseni, ndërsa te skuadra e Makedonija Gjorçe Petrovit të gjitha futbollistët janë të gatshëm për të dhënë më të mirën.

GOLAT

Nga 5 ndeshjet e deritanishme të zhvilluara në kuadër të LPFM-së, Makedonija Gj.P në vetëm dy prej tyre ka gjetur golin, edhe atë në të dyja rastet si mysafir. Golin e parë e kishin realizuar në atë disfatë 2:1 ndaj Akademia Pandevit në Strumicë në kuadër të javës së parë, ndërsa një gol tjetër kishin realizuar në transfertën në Tetovë ndaj Renovës kur kishin nxjerrë një barazim 1:1.

Vardari në 5 ndeshjet e para ka realizuar 7 gola, edhe atë duke shënuar në secilën ndeshje të paktën një gol. Edhe pse ndodhet në një krizë financiare, kjo skuadër me Aleksandar Vasoskin në krye po bënë më të mirën dhe aktualisht ndajnë pozitën e dytë me Shkëndijën në krye të tabelës së klasifikimit.

HISTORIA E KLUBEVE NË KUADËR TË KUPËS

Edhe pse është skuadra me më shumë trofe në kuadër të Kupës së Maqedonisë, Vardari viteve të fundit ka qenë nën hijen e Shkëndijës që tashmë tre vite me rradhë po luan në finale. Për herë të fundit Vardari në një finale, kur edhe e kishte fituar kishte luajtur në sezonin 2006/2007, kur me rezultatin 2:1 kishte mundur Makedonija Gj.P., skuadër kjo që në anën tjetër vetëm një vit më parë kishte fituar këtë trofe, që njëherit është edhe i vetmi në historinë e tyre, kur në finalen e sezonit 2005/2006 kishte mundur Shkëndijën me rezultatin 3:2. Makedonija Gj.P në finale kishte luajtur edhe në sezonin 2008/2009 kur përmes penaltive ishte mundur nga Rabotniçki.

HISTORIA

10 ndeshjet e fundit mes këtyre dy skuadrave, përfshirë këtu edhe miqësoren e fundit të fituar nga Makedonija Gj.P (3:0), kryesisht kanë dhuruar më shumë se tre gola për ndeshje, me përjashtim të ndeshjes së këtij sezoni, kur Vardari falë golit të shënuar nga pika e bardhë nga ana e Tigran Barsegian kishte shënuar fitore minimale 1:0. Mirëpo ndeshja e fundit mund të jetë edhe pasqyra më e mirë për forcën momentale të të dyja skuadrave dhe aftësive të tyre realizuese, duke pasur parasysh se në 8 ndeshjet paraprake ku janë shënuar më shumë gola, të gjitha ndeshjet kanë kaluar në dominim të plotë të Vardarit, kur kjo skuadër në rradhët e saja kishte futbollistë shumë më cilësorë se që i ka sot.

Leave a Reply