Nuk ka pushim për Shkëndijën, ku pas fitores ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit në kampionat, skuadra “kuqezi” ka nisur përgatitjet për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, atë në Kupën e Maqedonisë ndaj Pelisterit.
Skuadra tetovare pretendon ta mbrojë trofeun e fituar vitin e kaluar në këtë kompeticion, ndërsa shpreh optimizim para takimit që do të luhet të mërkurën.
“Të gjithë jemi të gatshëm për finalen e Kupës dhe në skuadër mbizotëron frymë pozitive dhe optimizëm para kësaj ndeshje të rëndësishme. E dimë se nuk do të jetë e lehtë, Pelisteri ka ekip për respekt dhe ata kanë pretendimet e tyre, por për të qenë i sinqertë nëse do të jemi në nivelin e mundësive dhe kualitetit tonë mendoj se ne do të fitojmë ndeshjen. Unë kam besim se do të mbrojmë trofeun e Kupës dhe se ai do të vazhdojë të qëndrojë në Tetovë, gjegjësisht do ta sjellim sërish këtu”, është shprehur sulmuesi Besart Abdurahimi për faqën zyrtare të Shkëndijës.
Takimi finale ndërmjet Shkëndijës dhe Pelisterit do të luhet të mërkurën në stadiumin “Mladost” të Strumicës me fillim në orën 17:30, ndërsa nesër nga ora 14:30 në hapësirat e stadiumit do të zhvillohen press konferencat zyrtare nga të dyja ekipet.