Shkëndija eliminon Kozhuvin, nis rrugëtimin e mbrojtjes së trofeut të Kupës

Shkëndija i ka nisur me këmbë të mbarë garat në Kupën e Maqedonisë, pasi sot në ndeshjen e fundit të 1/16 së finales eliminoi Kozhuvin e ligës së dytë me rezultatin 2:0, njofton “infOSport.mk”.

Çështjen e fituesit “kuqezinjtë” e Qatip Osmanit në ndeshjen e zhvilluar në Gjevgjeli e zgjodhën që gjatë pjesës së parë, kur edhe i shënuan të dy golat.

Ishte bomberi Besart Ibraimi, ai i cili vetëm pas 13 minutave lojë kaloi në epërsi Shkëndijën, ndërsa në minutën e 28-të Omar Imeri dyfishoi rezultatin në 0:2.

Ky rezultat në fund doli të jetë edhe përfundimtarë edhe përkundër faktit që Shkëndija dominoi ndeshjen edhe gjatë pjesës së dytë.

Osmani u paraqit me më të mirët në këtë ndeshje, ndërsa ishte kjo një parapërgatitje për ndeshjen e fundjavës kundër Rabotniçkit, e vlefshme për javën e pestë në LPFM.

Leave a Reply