Trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ka qenë i ftuar të mbajë një ligjëratë të tij në një event të Ministrisë së Inovacionit.
60-vjeçari nga Sarmede ka folur mbi suksesin, si shkohet drejt tij në futboll, duke u bazuar edhe në eksperiencën e vet kuqezi. Megjithatë, duket se trajneri italian e parandien fatin që e pret në fund të këtij sezoni, mosrinovimi i kontratës, sepse është larg përmbushjes së objektivave. Prandaj, i pyetur nëse do të jetë në ndeshjen e parë, që do të luhet në stadiumin e ri (Arena Kombëtare), De Biazi është përgjigjur: “Nëse më ftoni, do të vij të shoh ndeshjen”.
Lidhur me situatën në grupin “G” kualifikues si dhe ndeshjen e radhës ndaj Izraelit, De Biasi me përgjigje:“Nuk jemi mirë në klasifikim, ndaj duhet të paraqitemi mirë që nga ndeshja me Izraelin, që është shumë e fortë dhe e vështirë, si nga aspekti logjistik, ashtu dhe nga niveli i kundërshtarit. Izraelitët janë të fortë, por ne shkojmë për të marrë 3 pikët që Izraeli na i mori këtu.”