Barcelona ishte në kontakt direkt me Poll Pogban gjatë merkatos së kësaj vere. Kështu raporton “Mundo Deportivo”, sipas së cilës gjiganti “katalunas” ka bërë përpjekje për transferimin e reprezentuesit francez nga skuadra e Mançester Junajtedit.
Por, përkundër dështimit, “blaugranët” do të tentojnë sërish blerjen e tij pas rihapjes së afatit kalimtar të janarit. Ka qenë edhe vetë Pogba që ka pranuar se do të dëshironte të luante me Lionel Messin, një lider i vërtetë viteve të fundit te skuadra kampione e Spanjës.
Mbetet të shihet nëse Barcelona gjatë merkatos së janarit do të arrijë gjuhë të përbashkët me drejtuesit e Mançester Junajtedit për transferimin e francezit, për shërbimet e të cilit së fundmi gjithashtu interesohet edhe Juventusi.