Britaniku Luis Hamilton është fitues i garës për Çmimin e Madh të Spanjës, e pesta e kampionatit të sivjetshëm në Formula 1, e cila u zhvillua në Barcelonë.
Ai në cak arriti për kohën 1 orë, 35 minuta, 56 sekonda e 497 të qindtat, duke e arritur fitoren e 55-të në karrierë, ndërsa të dytën në këtë kampionat.
Pas një lufte të madhe me rivalin nga Ferrari, Sebastian Vettel, ngasësi i Mercedesit arriti t’i gëzohet fitores.
Një vend në podium e siguroi edhe Ricardo i Red Bullit. Vettel që në rrethin e parë e kaloi britanikun dhe pozitën e liderit e ruajti deri në rrethin e 44-të, kur Hamilton e shfrytëzoi taktikën më të mirë të skuadrës së tij, kur e tejkaloi gjermanin për të arritur i pari në cak.
Gara në Barcelonë është karakterizuar edhe me “përfundime” të parakohshme të garës. Ndër ata që dolën nga shtegu ishin Kimi Raikkonen që doli qysh në rrethin e parë dhe Max Verstappen (në rrethin e 38-të).
Pas kësaj gare, në renditjen e përgjithshme udhëheq Sebastian Vettel me 86 pikë, i pasuar nga Luis Hamilton me 73 e Valtteri Bottas me 63 pikë.