Kosova barazim pa gola ndaj Azerbajxhanit në Baku

Përfaqësuesja e Kosovës ka marrë pikën e parë në ndeshjen e saj debutuese në kuadër të Ligës së Kombeve, pasi sonte në Baku barazoi pa gola 0:0 ndaj Azerbajxhanit, në ndeshjen e vlefshme për grupin 3 në Ligën “D”.

Pjesa e parë nisi me një ritëm të ngadaltë nga të dyja kombëtaret, me Kosovën që me një përqindje pak më të lartë zotronte posedimin e topit.

Madje Kosovës në këtë pjesë iu treguan edhe mundësitë më të mira të shënimit.

Starti i pjesës së dytë ishte më i mirë për ekipin e Azerbajxhanit, që për disa minuta arriti ta mbante në mbrojtje Kosovën, duke i vënë në vështirësi jo pak herë.

Kjo shtyu trajnerin Bernard Çallandes që të bëjë dy zëvendësime, duke inkuadruar Rashicën dhe Avdijajn, në vend të Zhegrovës dhe Celinës.

Pavarësisht këtyre ndryshimeve, Azerbajxhani vazhdoi të dominonte ndeshjen, po pa arritur të bëjë më shumë, me ç’rast në fund ndeshja Azerbajxhani – Kosova u mbyll me barazim pa gola.

Ndeshjen e radhës Kosova e luan më 10 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri’ kundër Ishujve Faroe.

Leave a Reply