Kurrsesi polemik dhe gjithmonë gati për të kontribuar për Kombëtaren e Shqipërisë. Kapiteni Ansi Agolli jep shembullin e futbollistit që sa herë grumbullohet në Kombëtare jep maksimumin, duke qenë shembull edhe për të rinjtë.
Ansi një rikthim në kombëtare në një pikë kritike. Misteri insiston tek eksperienca…
Duhet të jemi gati sa herë na therret kombëtarja. Vijmë këtu, japim ndihmën dhe eksperiencën tonë brenda dhe jashtë fushe. Bëjmë punën tonë, duke dhënë maksimumin.
Si e keni gjetur ambientin e kombëtares pas rikthimit dhe si i keni parë dy humbjet në fundit në miqësore?
Nuk më duket që kam ikur ndonjëherë nga skuadra. Janë po të njëjtët djem dhe disa prurje të reja, ata duhet ta fitojnë vetë vendin. Klima është e mirë dhe kemi punuar për ndeshjen e radhës. Nuk është momenti të kujtojmë humbjet. Madje te këto humbje grupi ka nxjerrë mësime.
Cili është objektivi në “Nations League”?
Është pak herët të flasim. Është një eksperiencë e re. Objektivi i parë është të bëjmë një paraqitje të mirë dhe ta fitojmë ndeshjen. Më pas duhet të shohim ecurinë, të mendojma nga ndeshja në ndeshje.
Shqipëria sot është më e fortë apo më e dobët se në humbjen 0-3 me Izraelin?
Kemi eksperiencë jo të mirë me Izraelin në Shqipëri. Atrëherë ndikuan shumë faktorë. Mendoj që nuk dhamë atë që duhet, u ndëshkuam me karton të kuq, pësuam gol… Atëherë nuk dhamë atë që donim. Është një ndeshje e re, diçka tjetër.
Cili është problemi që po pësojmë kaq shumë gola, ndërkohë që në eliminatoret e Europianit ndëshkoheshim shumë pak?
Nuk mund ta bëjmë lidhjen me eliminatoret e Europanit. T’i lëmë pas ato që kanë ndodhur në miqësore, është një fillim i ri dhe duhet të jemi gati dhe besoj se jemi gati për Izraelin.