Mërgim Mavraj cilësohet si një nga goditjet më të rëndësishme të klubit të Aris në merkaton e verës, një lojtar i cili pritet të ndihmojë këtë klub të bëjë diferencën në futbollin grek dhe të kërkojë kthimin në pjesën e sipërme të klasifikimit dhe në Kupat e Europës, objektiva të cilat edhe mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare do t’i kërkojë vetë dhe do të bëjë maksimumin për t’i arritur, pasi do t’i rrisin rrogën.
Mediat greke kanë zbuluar prapaskenat e transferimit të lojtarit me të gjitha detajet e tij, duke filluar që nga fakti se ai iu propozua fillimisht AEK-ut dhe Olimpiakosit. Por më pas drejtuesit e Arisit mësuan për këtë mundësi dhe filluan negociatat me mbrojtësin. Futbollisti shqiptar nuk u “kursye”, i kërkoi menjëherë 500 mijë euro rrogë në sezon, kërkesë të cilën grekët e refuzuan duke i bërë të qartë se asnjë klub tjetër nuk do t’ia paguante këtë shifër.
Hapi i radhës i Aris ishte të priste, pasi Mavraj filloi të kontaktonte me klube të tjera, me ofertën më të mirë financiare që i erdhi nga Katari, por ai nuk dëshironte të shkonte atje që tani. Sapo mësoi për këtë vendim të futbollistit, Arisi përdori ‘asin nën mëngë’, Migjen Bashën. Ky i fundit i dha garancinë që Arisi ishte një klub me projekt serioz dhe Mavraj u bind më shumë kur pa ndeshjen me AEL, në një stadium të mbushur me tifozë.
Më pas, rifilluan negociatat për çështjet financiare. Në fund u arrit akordi që Mavraj të firmoste për një rrogë bazë prej 280 mijë eurosh, por me shumë klauzola. E para është ajo e rritjes me 25% të pagës së tij në vitin e ardhshëm nëse do të rinovohet marrëveshja, pasi është 1+1.
Më pas e kishin radhën bonuset për arritjet e klubit. Nëse Aris arrin Europën apo fiton Kupën, rroga e Mavrajt mund të shkojë deri në 350 mijë euro në këtë sezon. Një sakrificë për klubin, duke e bërë ndër më të paguarit në radhët e Aris. Sinjali tjetër se sa grekët dëshironin që të bindnin Mavrajn ishte pjesëmarrja në negociata e vetë presidentit Teodoros Karipidis. Ky i fundit udhëtoi dy herë drejt Gjermanisë për të bindur mbrojtësin, derisa arriti më në fund t’i shkëpuste një “po”. (vipsport.al)