Në mungesë të ndeshjeve kampionale për shkak paraqitjes së përfaqësueses së Maqedonisë në Ligën e Kombeve, ekipet e Ligës së Parë dhe të dytë në vend po shohin mundësinë e zhvillimit të ndeshjeve miqësore, përmes së cilave do të mbanin ritmin garues, por njëkohësisht trajnerëve do ju shërbenin për të aplikuar apo provuar ndonjë skemë apo edhe futbollistë të rinj, që nuk i kanë provuar më parë.
FC Shkupi që sezonin e ri nuk e nisi edhe aq mbarë në Ligën e Parë, me trajnerin e ri Hajati Sojdash, të dielën do të zhvillojë një miqësore luksi përballë Vëllazërimit të Kërçovës.
Sojdash në bankinën e FC Shkupit debutoi fundjavën që lamë pas në ndeshjen me Shkëndijën, ndaj së cilës skuadër pësoi disfatë 1:2. Ndeshja ndaj Vëllazërimit do të jetë një rast i mirë që të ju jepet mundësia edhe futbollistëve të angazhuar vetëm ditën e fundit të merkatos, si Viktor Angellov, Erdon Daci dhe Onyebuchi Emmanuel Ifeanyi.
Ndeshja FC Shkupi – Vëllazërimi do të zhvillohet në stadiumin e Çairit (9 shtator) me fillim në ora 17:00.