Talenti francez Kylian Mbappe është pezulluar për tre ndeshje pas kartonit të kuq ndaj Nimes fundjavën e kaluar, këtë e ka konfirmuar liga franceze.
19-vjeçari i cili gjithashtu shënoi në fitoren 4-2, është larguar me karton të kuq pasi shtyu Savanier i cili kishte bërë një ndërhyrje të tmerrshme vetëm pak sekonda më pas.
Kampionët e Francës do të luajnë tre ndeshje pa Mbappe. Sfidën ndaj Saint-Etienne më 14 shtator, Rennes më 23 shtator dhe Reims tre ditë më pas.
Por pezullimi nuk do të ndikojë në aktivizimin e Mbappe në ndeshjet e grupeve të Champions League.
Ndërkohë Savanier, i cili gjithashtu ka parë karton të kuq, do të pezullohet për 5 ndeshje.
Ky është kartoni i dytë i kuq në karrierën e Mbappe, pasi është “skuqur” gjatë janarit pas një faulli të rëndë ndaj Sarr të Rennes në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës Franceze.