Në Nyon të Zvicrës, u mbajt Forumi i përvitshëm që organizohet nga UEFA, me disa nga tranjerët më të mirë në botë që morën pjesë. Nuk munguan Carlo Ancelotti, Max Allegri, Julen Lopetegui, Jose Mourinho, Diego Simeone dhe Arsene Wenger.
Pika e parë e diskutimit ishte goli në transfertë për ndeshjet me eleminim direkt. Të gjithë tranjerët duket se ishin dakord për faktin se nuk është e drejtë, që goli në transfertë të vlejë dhe në pjesët shtesë. Për shembull: Nëse në gjysmëfinalet e Champions, ku bëhen 2 ndeshje, e të dyja mbarojnë me rezultatin 2-1, me rregullin aktual ndeshja shkon normalisht në pjesë shtesë. Nëse secila skuadër shënon nga një gol në shtesë, goli i shënuar në transfertë ka më shumë vlerë, e rrjedhimisht ekipi mik kualifikohet për më tej nëse rezultati nuk ndryshon. Për tranjerët kjo nuk është e drejtë. Madje, disa tranjerë mendojnë se vlera e dyfishtë që ka goli në transfertë duhet anulluar krejtësisht.
Një tjetër ide është ajo e zëvëndësimit të pestë, që mund të prezantohet në ndeshjet me eleminim direkt. Para pak kohësh u prezantua zëvëndësimi i katërt, i cili mund të kryhet vetëm në pjesët shtesë, siç u pa dhe në Botëror. Ka njerëz që mendojnë se zëvëndësimi i pestë mund të ishte shumë i vlefshëm, por aktualisht është vetëm një ide.
Pika e rradhës e diskutimit, ku edhe këtu të gjithë tranjerët ishin dakord, ishte një datë e vetme për mbylljen e merkatos, për të gjitha klubet në Evropë. Këtë verë, për shëmbull, në Shqipëri apo dhe në disa kampionate të tjera evropiane merkatoja u mbyll me 31 gusht, në Itali me 17 gusht apo në Angli me 10 gusht.
Mbetet për tu parë nëse UEFA do të nisë diskutimet për të bërë ndryshime të caktuara, apo do të presë edhe pak kohë.