Selimi debuton me fitore te Shkëndija

Erhan Selimi ka debutuar me fitore në bankinën e skuadrës së Shkëndijës, skuadër kjo e cila sot në Shkup në ndeshjen e javës së 33-të mundi Makedonija Gjorçe Petrovin me rezultatin 3:2, njofton “infOSport.mk”.

Shkëndija ishte favorit absolut në këtë përballje, dhe një gjë të tillë e dëshmoi edhe në fushën e blertë kur pas 65 minutave lojë avansoi me tre gola epërsi, duke dëshmuar gjatë kësaj peridudhe forcën dhe diferencën ndaj skuadrës vendase.

Gjatë pjesës së parë skuadra tetovare realizoi vetëm një gol, edhe atë me autorë Besart Abdurahimi,  për të cilin ishte ky goli i dytë i shënuar rradhazi, pas atij goli në ndeshjen e javës së kaluar kundër Bregallnicës në Tetovë.

Gjatë pjesës së dytë, më saktësisht në një interval kohor prej vetëm 5 minuta, Shkëndija realizoi edhe dy gola të tjerë, me autorë Armend Alimi (60’) dhe Marjan Radeski (65’).

Pas këtyre tre golave në rradhët e Shkëndijës u vërejt një komoditet, gjë të cilën e shfrytëzuan vendasit që realizuan dy herë në rrjetën e Zahov. Ishte Stojkovski, ai i cili në minutën e 78-të realizoi golin e parë për vendasit, derisa 10 minuta më pas Zdravkovski nga pika e bardhë vendosi rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Makedonija Gj.P 2, Shkëndija 3.

Me këtë fitore Shkëndija konfirmoi pozitën e dytë në tabelë, duke siguruar kualifikimin që tani për në Liga Evropa, pavarësisht rezultatit në finalen e Kupës kundër Pelisterit, ndeshje kjo që në program është të mërkurën.

Leave a Reply