Futsal, Shkupi vetëm një hap larg titullit kampion

Shkupi është vetëm një hap larg titullit kampion në elitën e futsalit vendor, pasi ekipi “bardhekaltër” nga Çairi sonte shënoi edhe fitoren e 22-të në kampionat nga gjithsej 23 ndeshje, duke mundur SEE Universitetin në transfertën në Tetovë me rezultatin 5:2, njofton “infOSport.mk”.

Ishte kjo përballja e para fundit e kaluar me shumë sukses nga ana e djelmoshave të trajnerit Zoran Lekiq, të cilët në këtë mënyrë vazhduan dominimin e tyre në futbollin vendor në palestër.

Orhan Ibishi realizoi dy golat e parë, që i dhanë avantazhin Shkupit gjatë pjesës së parë me rezultatin 1:2, ndërkohë gjatë pjesës së dytë në listën e golashënuesve për ekipin nga Çairi u regjistruan edhe Eroll Dalip dhe Eljesa Neziri, që gjithashtu realizoi një “dopietë” në këtë përballje shumë fer dhe korrekte nga ana e të dyja palëve.

Falë kësaj fitore Shkupi arriti në kuotën e 67 pikëve, 3 më shumë se Velesi në pozitën e dytë që sot mundi kampionët në fuqi të Zhelezarecit me rezultatin 11:4. Pikërisht këto dy skuadra do të diskutojnë çështjen e titullit në ndeshjen e javës së fundit në palestrën “Enver Idrizi” në Çair, ndeshje që në program është javën që vjen.

Shkupit në këtë përballje i përshtatet edhe një barazim për tu shpallur kampion për herë të parë në historikun e tyre, ndërkohë në anën tjetër Velesi vetëm me fitore, edhe atë më shumë se një gol epërsi mund të shpallet kampion.

Rikujtojmë në ndeshjen e fundit mes tyre, Shkupi kishte mundur si vendas Velesin me rezultatin 2:1, ndërkohë ndeshja mes tyre në Veles ishte mbyllur me barazimin 3:3.

 

Leave a Reply