Milan – Roma garantojnë spektakël sonte në “San Siro”. Ndeshjet mes këtyre dy skuadrave gjithnjë kanë dhuruar emocione, ndërsa këtë herë vjen më intriguese se kurrë.
Milani vjen pas humbjes me përmbysje kundër Napolit, ndërsa Roma pas barazimit me vuajtje në “Olimpiko” ndaj Atalantas.
Të dyja skuadrat i kanë synimet e qarta këtë sezon, të jenë në 4 vendet e para, në mënyrë që të sigurohet automatikisht kualifikimi për në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Në dy ndeshjet e sezonit të shkuar, secila nga skuadrat arriti të rrëmbente fitoren në fushën e skuadrës kundërshtare, me të njëjtin rezultat 0:2. Në ndeshjen e parë të zhvilluar në “San Siro”, kur në stolin e Milanit ishte Vinçenco Montella, ishte Roma ajo që kishte fituar ndeshjen falë golave të shënuar nga Xheko dhe Florenci, ndërsa historia kishte ndryshuar në tërësi në ndeshjen në “Olimpiko”, ku Milani i udhëhequr nga trajneri aktual, Xhenaro Gatuso falë golave të shënuar nga Kutrone dhe Kalabria i ishte hakmarrë Romës me të njëjtën kamatë, për atë disfatë në shtëpi.
Në ndeshjen e sotme dy tranjerët respektivë do të kërkojnë më të mirën nga skuadrat e tyre, ndërsa pa dyshim se do të jetë shumë interesante sfida midis dy bomberëve dhe ndër sulmuesve më të mirë që ndonjëherë kanë luajtur në “Serie A”, Gonzalo Higuain – Edin Xheko. Si boshnjaku, ashtu dhe argjentinasi, janë lojtarë që mund të ndryshojnë krejtësisht rrjedhën e një ndeshjeje, edhe në rast se nuk shënojnë gol, edhe pse sonte besojmë se do ti ketë ata me bollëk, bazuar në efikasitetin e dy skuadrave, në veçanti nga ndeshjet e fundit në kampionat.
Mos e lëshoni rastin, sonte ora 20:30, Milan-Roma, një sfidë spektakli dhe mbi të gjitha që garanton edhe shumë gola.