Amir Rahmani si duket po i jep fund qëndrimit të tij te gjigandët kroat të Dinamo Zagreb, aty ku kohëve të fundit nuk po mund të gjejë shumë hapësira në formacionin bazë. Pikërisht ndoshta kjo është edhe arsyeja, që mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës kërkon një sfidë të re në karrierën e tij, ndërsa siç raportohet destinacion i tij i ardhshëm pritet të jetë Danimarka dhe skuadra e njohur e Brondbit, aty ku më parë kanë luajtur edhe dy futbollistët tetovarë, Riza Durmishi dhe Ferhan Hasani.
Rrahmani pritet ta finalizojë këtë javë kalimin te Brondbi, ndërsa gjithashtu të njëjtës skuadër pritet ti bashkohet edhe Besar Halimi, një tjetër futbollistë i përfaqësueses së Kosovës.
Ky i fundit sezonin e kaluar luajti te Brondbi në formë huazimi nga skuadra gjermane e Majnc, ndërsa me paraqitjet arriti që të bind drejtuesit e skuadrës daneze për të blerë edhe përfundimisht kartonin e tij.
Duhet theksuar se të dy futbollistët kanë pasur rritje, e sidomos aktivizimi i tyre në ekipin përfaqësues të Kosovës ka ndikuar që të bëjnë paraqitje dinjitoze edhe në skuadrat respektive, prej ku edhe kanë zgjuar interesimin e Brondbit, një ndër skuadrat më me emër në Danimarkë.