Sezoni i ri në futsal nis me super derbin Shkupi-Velesi

Sezoni i ri në elitën e futsalit vendor do të startojë me super derbin Shkupi – Velesi, njofton “infOSport.mk”. Është ky njëherit edhe derbi më i madh, ku “bardhekaltërit” nga Çairi do të kërkojnë hakmarrje për sezonin e kaluar, kur Velesi vetëm në javën e fundit ua rrëmbeu titullin e kampionit. Futsal Shkupi edhe pse ishte në avantazh në atë ndeshje të zhvilluar në Veles, në fund morri vetëm një barazim 3:3, që bëri që në fund skuadra nga Çairi të humbas titullin e kampionit të fituar gjatë vitit 2017-të.

Është ky një rast i mirë për ekipin e trajnerit Zoran Lekiq për tu hakmarrë dhe për të nisur sezonin e ri me këmbë të mbarë, ku edhe këtë vit si Shkupi, ashtu edhe Velesi janë ndër favoritët kryesor për titullin e kampionit.

Në ndeshjet tjera të javës së parë Juventus Serava do të jetë mysafir i Astibos, Shkëndija që siguroi një vend në mesin e më të mirëve në xhiron e parë si vendas do të mirëpret Cikon, skuadra finaliste e Kupës së Maqedonisë Gemixhi që gjithashtu siguroi kualifikimin për në Ligën e parë do ta nis si vendas kundër Kratovës, ndërkohë skuadra e tretë e inkuadruar në elitën e futsalit vendor, Crna Reka ndeshjen e parë do ta zhvillojë në transfertë kundër Zhelezarecit.

Ndeshjet e xhiros së parë të sezonit të ri 2018/2019 në elitën e futsalit do të zhvillohen me datë 15 dhe 16 shtator.

Leave a Reply