Takimi që do ta mbyllë xhiron e tretë në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë do të jetë ai që do të luhet nesër në Tetovë ndërmjet Shkëndijës dhe Bellasicës. Kampionët e vendit në pritje të ndeshjes së kthimit me Rosenborgun në plej of-in e Liga Evropës, nesër duhet të zbresin në fushë për ndeshjen e kampionatit, ku do të sfidojnë Bellasicën, një kundërshtarë i lehtë, duke marrë parasysh se rikthehet pas 12 viteve në elitën e futbollit vendor.
Djemtë e trajnerit Qatip Osmani në xhiron e tretë përballë Bellasicës nga Strumica kërkojnë fitoren e parë në sezonin e ri, pas dy barazimeve në xhirot e para. Duke qenë pranë grupeve në UEFA Europa League, “kuqezinjët” duken të karikuar për të bërë detyrën në kampionat.
Shkëndija me Bellasicën për herë të fundit janë përballur në tetor të vitit 2015 në një ndeshje miqësore, e cila u fitua nga tetovarët me rezultat të thellë 6:0.
Takimi Shkëndija-Bellasica luhet nesër në stadiumin e qytetit në Tetovë, duke nisur nga ora 16:30.