Futbollisti nga Shkupi Bujamin Asani ka debutuar me fitore te skuadra e tij e re Ferizaji në Superligën e Kosovës. Në kuadër të xhiros së dytë të kampionatit elitar të Kosovës që për shkupjanin ishte ndeshja e parë me fanellën e Ferizajit, fituan takimin si vendas ndaj Lirisë së Prizrenit me rezultat 1:0. Golin e vetëm të kësaj përballje e realizoi Haliti në minutën e 85-të, që vlejti për tre pikë të rëndësishme për Ferizajin në elitën kosovare.
“Ndeshja e parë, ambienti i ri dhe një eksperiencë e re për mu në këtë kampionat që nuk kam luajtur më parë. Gjithçka shkoi mirë, drejtuesit, stafi dhe futbollistët më pritën mirë, kishim disa stërvitje gjatë javës dhe gjithçka shkoi mirë edhe në takimin ndaj Lirisë që ishte ndeshje e vështirë, por ia dolëm për t’i marrë tri pikë. Sigurisht se debutimi me fitore është kënaqësi për mua, shpresojmë të vazhdojmë kështu edhe në ndeshjet tjera të kampionatit dhe të ngritemi së më lartë në tabelë. Mua më duhet të rikthehem në formën sa më të mirë, pasi erdha si i fundit në ekip dhe kisha mungesë të stërvitjeve para fillimit të sezonit”, thotë enkas për “InfOSport.mk” Bujamin Asani.
Asani te Ferizaji u zyrtarizua 6 ditë më parë dhe për të është eksperienca e parë në futbollin kosovar.