Të shtunën në elitën e futbollit kosovar u zhvilluan tre takimet e para ta javës së dytë, në të cilën skuadrat mysafire shënuan dy fitore, ndërsa ndeshja midis Drenicës dhe Ferronikelit u mbyll me barazim pa gola.
Llapi me rezultatin 3:0 në transfertë mundi Ballkanin, ku dy gola realizoi ish sulmuesi i Prishtinës, Ahmet Januzi, ndërsa një gol tjetër, të parin e këtij takimi e realizoi Mentor Zhdrella.
Fitore në transfertë arriti edhe Gjilani, që me rezultatin 3:2 mundi KEK-un. Gjilanasit në këtë ndeshje kaluan në epërsi vetëm pas dy minutave lojë, falë golit të shënuar nga ana e Pepës. KEK-u barazoi përmes Muhamet Rakovicës në minutën e 24-të, teksa 8 minuta para mbylljes së pjesës së parë, sulmuesi nga Trinidad dhe Tobago, Trevin Cesar sërish kaloi në epërsi Gjilanin.
Vigan Veliu në minutën e 67-të edhe njëherë tjetër barazoi shifrat, kësaj rradhe në 2:2, mirëpo 4 minuta para fundit të takimit, Perez shënoi golin e fitores për Gjilanin.
Sot në program janë edhe tre ndeshje të tjera nga Superliga e Kosovës. Skuadra kampione e Dritës do të mirëpret Flamurtarin, Ferizaji do të jetë nikoqir i prizrenasve të Lirisë, ndërsa në Mitrovicë, Trepça ’89 do të mirëpret Prishtinën. Të tre ndeshjet startojnë në ora 16:45.