Skuadra e FC Shkupit është në kërkim të një trajneri të ri, ndërsa deri në emërimin e tij skuadrën nga Çairi do ta udhëheq trajneri kondicional, Orhan Abdi, njofton “infOSport.mk”. Mirëpo sipas asaj që na e tha drejtori sportiv i “bardhekaltërve”, Omer Bunjaku, shumë shpejt do të konfirmohet emri i ri, duke potencuar njëkohësisht se bisedimet janë në përfundim e sipër me një trajner me shumë përvojë.
“Skuadrën për momentin do e udhëheq trajneri kondicional, Orhan Abdi. Brenda disa ditëve do shohim se cila do të jetë zgjidhja më e mirë për klubin. Mund të them se bisedimet janë në përfundim e sipër me një trajner, emrin e të cilit do e publikojmë së shpejti” – tha enkas për “infOSport.mk”, Omer Bunjaku.
Zekirja Ramadani u largua ditë më parë nga posti i trajnerit te FC Shkupi, duke marrë përgjegjësinë e plotë për startin jo edhe aq të mirë të skuadrës “bardhekaltër”, e cila në dy xhirot e para të sezonit të ri regjistroi dy barazime, ndërsa i turpshëm ishte eliminimi nga Kupa e Maqedonisë nga skuadra e Ligës së Dytë, Kit Go.