Shkëndija mbrëmë në transfertën ndaj Rosenborgut pësoi disfatë 3:1, në sfidën e parë të “play-offit” të Liga Europa, por goli i shënuar në fund të ndeshjes jep shpresë për një përmbysje në ndeshjen e kthimit në Shkup.
Vendimtare u tregua pjesa e parë kur Shkëndija nuk realizoi disa mundësi shënimi, ndërsa vendasit treguan nivel të lartë efikasiteti kur realizuan tre gola nga po aq goditje Brenda kuadratit.
Tuniziani Xhebali zhbllokoi rezultatin në minutën e 11-të me një super gol, ndërsa katër minuta më vonë Bendtner me kokë shënoi për 2:0.
Goli i tretë erdhi në minutën e fundit të pjesës së parë me autor Levin, i cili shënoi nga afërsia pas një aksioni të shpejtë nga ana e majtë.
Pjesa e dytë solli një Shkëndijë shumë më të karikuar që krijoi shumë, ndërsa në minutën e 76-të falë një super goli të shënuar nga ana e brazilianit, Zhunior arriti që të ngushtojë epërsinë e norvegjezëve në 3:1.
Në minutat e fundit arbitri nuk dha penalti të pastër kur goditja e Ibraimit ndalet me dorë brenda zonës nga futbollisti vendas, Konradsen.
Në fund disfatë 3:1, por që qasja e futbollistëve “kuqezinjë” në pjesën e dytë jep optimizëm për të synuar përmbysjen në ndeshjen e kthimit më 30 gusht në Shkup, kur pritet që Shkëndija të ketë një përkrahje të madhe nga shkallët e stadiumit “Filipi i Dytë”.