Shkëndija të dielën në Shkup luajti pa gola në përballjen ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit. Edhe pse “kuqezinjtë” nga Tetova shpresonin në tre pikët e para të sezonit të ri, rastet e humbura, por edhe një formacion më ndryshe i kombinuar nga trajneri Osmani, bënë që në fund Shkëndija nga Shkupi të largohet vetëm me barazim.
Ky rezultat nuk ka kënaqur edhe vetë trajnerin Osmani, i cili thotë se ndeshja duhet fituar edhe përkundër faktit se disa futbollistë u lanë të lirë për të pushuar për ndeshjen e së enjtes me Rosenborgun në kuadër të ndeshjeve të “play-off” të Liga Europa.
“Edhe pse u paraqitëm me formacion të kombinuar dhe disa lojtarë i lamë tërësisht të pushojnë, megjithatë nuk luajtëm në nivelin që duhej dhe rezultat i kësaj është epilogu final. Sigurisht nuk mund të jemi të kënaqur, por është fillimi i kampionatit dhe ka vend për të kompensuar gjërat në vazhdim. Fakti që lamë disa lojtarë të pushojnë për takimin me Rosenborgun nuk është arsyetim, pasi ata që luajtën duhej ta fitojnë ndeshjen dhe sot mendoj se problemi ynë ishte se nuk kishim ide në 25 metra larg portës kundërshtare në atë pasimin e fundit që do të bënte ndryshimin”, deklaroi trajneri Osmani pas ndeshjes me Makedonija Gj.P.
Rikujtojmë skuadra kampione në fuqi, Shkëndija kishte barazuar edhe në ndeshjen e parë kampionale kundër Vardarit në Tetovë, ndërsa fitoren e parë kampionale do ta kërkojë javën që vjen, kur në Tetovë do të mirëpret Bellasicën, që në anën tjetër në dy xhirot e para ka pësuar po aq disfata.