Derbi i xhiros së dytë në Premierligën angleze midis Çelzit dhe Arsenalit ka përfunduar me rezultat 3:2 në të mirë të “Bluve”, të Londrës.
Skuadra e Mauricio Sarri ishte më e mirë në fushë dhe e ndihmuar nga publiku vendas arriti në fund fitore.
Ishte Pedro ai që e hapi serinë e golave të pjesës së parë. Spanjolli shënoi në minutën e 9-të pas asistimit nga Markos Alonsos, ndërsa në minutën e 20-të shënoi edhe Alvaro Morata.
Kur të gjithë menduan se me këtë rezultat skuadrat do të shkojnë në pushim, në skenë doli armenj, Henrikh Mkhitaryan.
Së pari armeni shënoi në minutën e 37-të, e pastaj asistoi te Aleks Ivobi (41’) për rezultat 2:2.
Në pjesën e dytë vazhdoi dominimi i Çelzit dhe pas disa rasteve ishte Alonso (81’) ai që shënoi golin e fitores, duke bërë që kjo fitore e Çelzit të ketë shije spanjolle.
Pas kësaj fitore Çelzi renditet në vendin e parë me gjashtë pikë, kurse Arsenali në pozitën e 17-të me zero pikë.