Mbyllet gjithçka,  Çelzi kampion i ri në Angli (VIDEO)

Dy javë para mbylljes së sezonit në Premierligë, Çelzi i Antonio Kontes ka siguruar titullin kampion në Premierligë. “Blutë” nga Londra sonte në transfertën ndaj Uest Bromuiç Albionit shënuan fitore minimale 0:1, që ju mjaftoi atyre për të festuar titullin e 6-të kampion.

Hero i Çelzit në këtë ndeshje ishte Miki Batshuaj, i cili në minutën e 82-të shënoi golin e fitores që edhe matematikisht shpalli Çelzin kampion. Azpilikueta mjaft mirë asistoi në shtyllën e parë, aty ku reprezentuesi belg reagoi mjaft mirë dhe shënoi golin e historisë, duke ngjyrosur me blu kampionatin e 118-të në historinë e futbollit anglez.

Ishte kjo fitorja e 28-të në këtë sezon për Çelzin, skuadër kjo e cila tashmë ka 87 pikë në pozitën e parë, 10 më shumë se Totenhami në pozitën e dytë.

Në fund festë e madhe e futbollistëve të Çelzit në stadiumin e Uest Bromuiç Albionit, të cilët me meritë arritën deri tek titulli kampion, ndërsa besojmë se festa e tyre do të jetë edhe më e madhe në ndeshjen e prapambetur kundër Uatfordit në “Stemford Brixh”, ndeshje kjo që në program është të hënën (15 maj).

 

Leave a Reply