Shkëndija mbyll garimin në eliminatoret e Champions League, mirëpo mbetet në Europë pasi do të luajë në “play off” të UEFA Europa League.
“Kuqezinjtë” treguan lojë shumë të mirë në takimin e kthimit me Red Bull Salzburgun e Austrisë, mirëpo pasi humbën disa mundësi të mira për të shënuar në fund pranuan gol për disfatë 0:1.
Në konferencën për shtyp pas ndeshjes trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani ka lavdëruar lojën e skuadrës, ndërsa beson se vendimtarë në duelet me Red Bull Salzburgun ishte humbja 3:0 në takimin e parë në Austri.
“Mendoj se diferenca e lojës së parë e bëri të veten. Ne në momente luajtëm mirë dhe krijuam disa raste, megjithëse edhe Red Bull Salzburgu pati mundësitë e veta. Megjithatë duhet të jemi të kënaqur me lojën e treguar edhe përkundër eliminimit. Gjithsesi vazhdojmë në “play off” të UEFA Europa League ku me shumë gjasa do të përballemi me Rosenborgun. Bëhet fjalë për skuadër kualitative e cila kohëve të fundit nuk është në nivelin e dikurshëm dhe mendoj se në këtë moment ne mund të kërkojmë shanset tona për hyrje në fazën e grupeve”, deklaroi trajneri “kuqezinjëve” trajneri Qatip Osmani.