Crvena Zvezda ka bërë një goditje të madhe në merkato, teksa në formë huazimi nga rradhët e skuadrës së njohur franceze të Bordos, arriti që të marrë sulmuesin, Xhonatan Kafu.
Në marrëveshjen mes dy klubeve ekziston edhe opcioni për blerjen e kartonit të brazilianit për shumën e 4 milion eurove.
Kafu pasi kaloi vizitat mjekësore te skuadra nga Beogradi, u prezantua para mediave serbe. Ai nuk fshehu dëshirën për tu shpallur kampion me Crvena Zvezdën, ndërsa gjithashtu të arrijnë të depërtojnë në garat europiane.
Crvena Zvezda në ndeshjen e parë të turit të tretë eliminatorë të Ligës së Kampionëve në stadiumin “Marakana” barazoi 1:1 ndaj skuadrës sllovake të Spartak Trnavës, ashtu që do ta ketë shumë të vështirë për të kaluar në ndeshjet e “play-off”, njëjtë sikurse edhe Shkëndija e Tetovës, pas asaj disfate 0:3 në transfertë ndaj Salzburgut. Rikujtojmë nëse do arrinin të kalojnë këto pengesa, Shkëndija dhe Crvena Zvezda do luanin përballë njëra tjetrës në ndeshjen vendimtare përmes së cilës do të siguronin grupet e Ligës së Kampionëve.
Ndryshe sa i përket futbollistit të ri, Xhonatan Kafu, ai është shumë i njohur për tifozët e Crvena Zvezdës, pasi gjatë vitit 2016-të si pjesë e skuadrës bullgare të Ludogorets kishte shënuar dy gola në rrjetën e skuadrës serbe, në rrugëtimin drejt grupeve të Ligës së Kampionëve Europian.