Shkupjani Leonard Kallaba edhe zyrtarisht në sezonin e ri do të jetë pjesë e Borecit nga Velesi, që garon në Ligën e Dytë – Lindje, njofton “infOSport.mk”.
Edhe përkundër problemeve që kishte me dokumentacionin e duhur nga klubi i tij paraprak, Kallaba më në fund është regjistruar në Federatën e Futbollit si futbollist i ri i Borecit, drejtuesit e së cilës skuadër besojnë shumë në kualitetet e mbrojtësit, i cili pas vetes ka një karrierë të bujshme, duke qenë pjesë edhe e skuadrave nga elita e futbollit vendor, por gjithashtu edhe nga Superliga e Kosovës.
Ai me Borecin ka nënshkruar kontratë një vjeçare, ndërsa te kjo skuadër Kallaba do të gjejë edhe një shkupjan tjetër, portierin Burhan Mustafa, i cili që javë më parë iu bashkua skuadrës nga Velesi.
Që të dy bashkë kanë qenë edhe pjesë e ndeshjeve kontrolluese të Borecit gjatë fazës së përgatitjeve, ku vërtetë kanë arritur rezultate shumë pozitive, ndërsa të njëjtën gjë kërkojnë të bëjnë edhe në kampionat, ku kjo skuadër bashkë edhe me Bregallnicën janë ndër pretendententët kryesor për inkuadrim në Ligën e Parë.
Rikujtojmë sezoni i ri në Ligën e Dytë – Lindje starton me 18 gusht, ndërsa Boreci do ta nis kundër Detonit Junior në transfertë.