Merkatot në futboll çdo herë sjellin surpriza. Ndonjëherë madje edhe disa transferime të papritura. I tillë mund të konsiderohet edhe ai i Vilian Hoze, brazilianit të Real Sociedad, i cili sipas asaj që raporton e përditshmja spanjolle, “Marca”, pëlqehet nga skuadra e njohur angleze e Çelzit.
Drejtuesit e skuadrës “blu” nga Londra thuhet se tashmë kanë bërë edhe kontaktet e para me agjentin e futbollistit, për të parë mundësinë e transferimit të tij në “Stemford Brixh”.
“Të gjithë që interesohen për Vilian Hoze, i drejtoj tek drejtuesit e Real Sociedadit. Nëse klubi pranon ofertën dhe vetë futbollisti dëshiron një transferim të tillë, atëherë do të shohim këtë mundësi. Ai me Sociedadin ka kontratë edhe për 4 vite dhe ndjehet shumë i lumtur këtu. Nëse vjen ndonjë ofertë që do ishte e kapshme për klubin dhe futbollistin, atëherë do shohim” – tha agjenti i brazilianit, Nik Arkuri.
Përveç Çelzit, interes për shërbimet e Vilian Hoze kanë shprehur edhe Njukasëll Junajtedi dhe Fulhami, mirëpo ofertat e tyre ishin refuzuar menjëherë.
Braziliani ka një klauzolë, e cila do e linte të lirë atë, nëse klubi i interesuar do të paguante shumën e 65 milion eurove.
26-vjeçari sezonin e kaluar në ndeshjet në grupe të Liga Europa në Shkup kundër Vardarit shënoi 4 gola, në atë fitore të madhe 0:6 të Real Sociedadit. Vilian Hoze te Real Sociedadi erdhi gjatë vitit 2016-të nga rradhët e Las Palmasit, ndërsa në 74 ndeshje me fanellën e skuadrës baske, ai ka realizuar 34 gola.