Ardian Cuculi pas përfundimit të kontratës me Shkëndijën gjatë kësaj vere nuk vazhdoi kontratën me kampionët e vendit. Ai që nga qershori është një agjent i lirë, ndërsa edhe pse kanë kaluar gati dy muaj, Cuculi ende nuk ka gjetur skuadrën e tij të re. Për të ardhmen e tij përflitej shumë, duke e çuar atë edhe në Azerbajxhan, por edhe në Itali, mirëpo si duket e ardhmja e tij është ngushtë e lidhur me Superligën shqiptare, pjesë e së cilës ishte në sezonin 2014/2015, kur me mjaft sukses mbronte ngjyrat e skuadrës së Partizanit.
Megjithatë kësaj rradhe e ardhmja e tij nuk ka të bëjë me skuadrën nga kryeqendra shqiptare, por me skuadrën vlonjate të Flamurtarit, aty ku Cuculi do të gjente ish shokët e skuadrës te Shkëndija, Muhamed Useinin dhe Artim Pollozhanin, por gjithashtu edhe Idriz Bathën, me të cilin luanin bashkë te Partizani. Një skuadër tjetër që gjithashtu seriozisht mendonte transferimin e Cuculit, ishte edhe Kukësi, mirëpo deri në këto momente nuk ka ndonjë ofertë konkrete nga ana e skuadrës nga verlindja e Shqipërisë, ndërsa gjithashtu mësohet se për shërbimet e mbrojtësit të majtë kërçovarë, nga Superliga shqiptare interesoheshin edhe Teuta dhe Skënderbeu.