Shkëndija gjatë ditës së nesërme do të zhvillojë ndeshjen vendimtare ndaj Sherif Tiraspol, ku edhe përfundimisht do të mësojmë nëse “kuqezinjtë” do të kalojnë në raundin e tretë eliminatorë të Ligës së Kampionëve Europian, njofton “infOSport.mk”. Të përzgjedhurit e trajnerit Qatip Osmani në ndeshjen e parë në Shkup shënuan fitore minimale 1:0, e cila megjithatë nuk ju jep siguri. Për këtë gjë është i vetëdijshëm edhe vetë trajneri “kuqezi”, i cili premtoi se Shkëndija në këtë ndeshje do të jap më të mirën për të arritur atë rezultat të dëshiruar.
“Na pret ndeshje e vështirë me kundërshtar kualitativ. Vijmë me epërsi 1:0 nga ndeshja e parë, por kjo nuk don të thotë asgjë pasi në lojë është edhe një përballje ku mund të ndodh gjithçka. Ne do të hyjmë për të dhënë më të mirën, të luftojmë në maksimumin e forcave tona për të marrë rezultatin e dëshiruar që do të na kualifikonte në raundin e tretë”, – deklaroi trajneri Qatip Osmani.
Ndeshja Sherif Tiraspol – Shkëndija zhvillohet nesër mbrëma me fillim në ora 19:00 dhe e njëjta do të drejtohet nga arbitri finlandez, Ville Nevalainen.