FC Shkupi ka shënuar fitore 3:2 në miqësoren ndaj skuadrës së Ballkanit nga Suharreka, ndeshje kjo që u zhvillua gjatë ditës së sotme në stadiumin e Çairit, njofton “infOSport.mk”. Pjesa e parë ishte e varfër, sa u përket golave të shënuar, pasi ishte vetëm Rron Broja, ai i cili shënoi në këtë pjesë, duke i dhënë avantazhin 1:0 skuadrës shkupjane.
Fillimi i pjesës së dytë solli dy gola të tjerë për të përzgjedhurit e trajnerit Zekirja Ramadani, të cilët shënuan me anë të Bazhe Ilijoskit dhe brazilianit, Serzhinjo. Për këtë të fundit ishte kjo ndeshja debutuese, prej kur se ky i fundit iu bashkua skuadrës nga Çairi gjatë kësaj merkatoje nga rradhët e Skënderbeut, edhe pse së fundmi në formë huazimi luante te skuadra e Rabotniçkit.
Pas rezultatit 3:0 futbollistët e FC Shkupit i lëshuan inciativën skuadrës kundërshtare, e cila në maksimum shfrytëzoi rastin e dhënë duke shënuar dy gola në rrjetën e Aleksovskit. Fillimisht në minutën e 67-të, Durim Gashi shënoi një super gol nga gjuajtja e lirë, teksa në minutën e 75-të Berat Hyseni shfrytëzoi në maksimum topin e harkuar në zonë nga Durim Gashi, i cili mjaft mirë depërtoi nga e majta në zonën e “bardhekaltërve”.
Gashi pak para përfundimit të ndeshjes pati edhe një tentativë tjetër nga gjuajtja e lirë, mirëpo kësaj rradhe në vendin e duhur ishte Aleksovski.
Kjo ndeshje ishte e mirëseardhur për të dy trajnerët, të cilët tashmë kanë edhe pasqyrën e duhur rreth formacionit titullar, me të cilin do të luajnë në kampionatet përkatësë. Liga e Parë Futbollistike të Maqedoni do të startojë me 12 gusht, ndërsa ajo në Kosovë vetëm një javë më vonë, transmeton “infOSport.mk”.
Rrikujtojmë FC Shkupi me 29 korrik do të zhvillojë edhe një ndeshje tjetër miqësore, kësaj rradhe ndaj skuadrës së Ferronikelit nga Drenasi.