Ishte nisur drejt Fiumicinos për të kryer vizitat me Romën dhe për të firmosur kontratën, por braziliani Malkom papritur ndryshoi destinacionin.
Një ndërhyrje e Barcelonës, që rriti menjëherë ofertën për kartonin e tij, bëri që klubi i Bordosë të autorizonte brazilianin që të përfundonte në Spanjë.
Kjo kthesë e papritur nuk i ka pëlqyer aspak Romës, që barazoi menjëherë ofertën me atë të Barcelonës, por më pas vendimtare u bë dëshira e lojtarit, që zgjodhi “Blaugranat” para kryeqytetit italian.
Mediat spanjolle raportojnë se agjentët e lojtarit kanë zbarkuar që në mëngjes në Spanjë, ku kanë gjetur akordin për kontratën e futbollistit me Barcelonën, ndërsa mbrëmjen e sotme pritet edhe mbërritja e Malkom.
Paraprakisht raportohet se Barça ka ofruar 41.5 milionë euro, plus dy të tjera në formë bonusi për sulmuesin, ndërsa pritet të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare me një klauzolë prej 400 milionë eurosh.