Sebastian Fetel “fluturon” në shtëpi dhe siguron “Pole position” në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Hokenhaimit, në Gjermani, pavarësisht reshjeve të shumta që shtynë për disa momente daljen e makinave në pistë.
Piloti gjerman i Ferrarit regjistroi një kohë të jashtëzakonshme 1’11″212, duke lënë pas vetes pilotin finlandez të Mercedesit, Valteri Botas.
Makina tjetër Ferrari, ajo e Kimi Raikonen do të niset e treta, ndërsa për Luis Hamilton nuk shkoi aspak mirë.
Piloti britanik u detyrua të tërhiqet nga provat, në raundin e parë kualifikues, për shkak të një problemi në makinë dhe do të niset nga vendi i 14-të nesër.
Kjo është një mundësi mjaft e mirë për gjermanin Vettel, që të thellojë diferencën e pikëve me britanikun, në renditjen e përgjithshme për pilotë.
Aktualisht piloti i Ferarit kryeson me 171 pikë, i ndjekur nga kampioni në fuqi i botës, Hamilton me 163 pikë.