Milani gjatë ditës së sotme ka emëruar presidentin e ri të klubit, duke shkarkuar nga ky post Marko Fasonen. Në krye të “rossonerëve” është emëruar ish presidenti i Viçencës, Paolo Skaroni, një ekonomist ky i suksesshëm 71-vjeçar.
Skaroni është emëruar si president nga shoqëria “Elliot”, e cila ka marrë përsipër Milanin, për ti rikthyer lavdinë që tashmë për disa vite me rradhë po i mungon. Gjatë prezantimit të tij, Skaroni është shprehur se ndihet i lumtur dhe krenar për këtë emërim, duke qenë se i shijon më shumë nga fakti se është një tifoz milanez.
“Kam pak fjalë për të përshkruar këtë ndjesi. Është një nder dhe krenari për mua që të kem këtë post. Nëse ishte nder për Roberto Kapelon, atëherë për mua si milanist, është edhe njëherë më shumë krenari. Faleminderit dhe e deklaroj të mbyllur këtë asamble“, ishin fjalët e para të presidentit të ri të Milanit.
Bordi i ri i drejtorëve me Milanin do të qeverisë deri me 30 qershor të vitit 2020. Përveç presidentit, Paolo Skaroni, pjesë e bordit drejtues të Milanit janë edhe Marko Patuano, Frank Tuil, Xhorxhio Furlani, Stefano Koçirio, Salvatore, Çerkione, Alfreda Kraka dhe Xhanluka D’Avanco.
Milani aktualisht ndodhet në turne në SHBA, ku do të qëndrojë deri me 5 gusht.