Sulmuesi kroat i Juventusit, Mario Manxhukiç rrezikon të mos luajë në finalen e Kardifit, teksa shkak për këtë gjë mund të jetë një gjest anti – sportiv i bërë nga ana e tij në ndeshjen e mbrëmshme gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve Evropian kundër Monakos.
Në minutën e 71-të, të ndeshjes, Manxhukiç kishte goditur me bërryl Fabinjon, por kjo gjë nuk u vu re nga arbitri kryesor, Kjupers.
Megjithatë, pamjet filmike tregojnë qartë atë që ka ndodhur dhe tani pritet që të mblidhet Komisioni i Disiplinës në UEFA për të shqyrtuar këtë veprim të kroatit, i cili mbrëmë shënoi golin e parë në fitoren 2:1 të Juventusit.
Padyshim është ky një lajm i keq për “Zonjën e Vjetër”, por edhe për vetë futbollistin i cili rrezikon të mos luajë në një finale të Ligës së Kampionëve Evropian.
Mbetet të shohim nëse Komisioni i Disiplinës pranë UEFA-s do të marrë parasysh pamjet filmike apo jo.