Duke parë përgjigjen që Milani mori nga UEFA dhe përjashtimin nga Liga Europa, emri i Leonardo Bonuçit prej më shumë se një muaji shihet si ai i lojtarit që duhej sakrifikuar nga “kuqezinjtë” për të drejtuar bilancet.
Por, sipas rrjetit “Sky Sport”, e vërteta është krejt tjetër.
Gazetari Pepe Di Stefano raporton se futbollisti i blerë një vit më parë nga Juventusi për shumën e 42 milionë eurove, është i tronditur nga situata në të cilën ka degraduar presidenca e skuadrës.
Pasiguritë financiare për të cilat përfliten, e kanë shtyrë atë që të kërkojë largimin nga Milani, duke parë se në sfond i është hapur edhe “dritarja” e PSZH-së.
Kësisoj, kërkesa e kapitenit për t’u larguar e ka tronditur Milanin, i cili duhet të gjejë një tjetër lojtar të aftë për ta zëvendësuar.