Shkëndija ka pësuar disfatë 0:4 në ndeshjen e kthimit ndaj skuadrës së Nju Seints nga Uellsi, mirëpo janë “kuqezinjtë” që vazhdojnë tutje, kjo falë fitores 5:0 në ndeshjen e parë në Shkup, njofton “infOSport.mk”.
Të besuarit e trajnerit Qatip Osmani zhvilluan një pjesë të parë shumë të dobët, që shumë shpejt duhet harruar, pasi pikërisht në këtë pjesë tetovarët pësuan që të tre golat.
Serinë e golave e nisi Din Ebe në minutën e 15-të pas disa gabimeve të njëpasnjëshme të futbollistëve tetovar, që rezultoi me pasimin e padashur të Alimit për futbollistin e Nju Seints, i cili nuk fali dhe nga brendia e zonës shënoi për 1:0.
Edhe goli i dytë erdhi pas një voesë të mbrojtësit Vakili, i cili nuk arriti që të ndërhyjë ndaj Mullan, i cili harkoi mjaft bukur në zonë për bashkëlojtarin e tij Daniel Redmond, që në minutën e 30-të ngriti epërsinë e TNS-së në 2:0.
Nuk vonoi shumë dhe vetëm 5 minuta më pas uellsianët dridhën Shkëndijën, duke shënuar edhe golin e tretë, me anë të Benjamin Kabangos, me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Në fillimin e pjesës së dytë, Qatip Osmani vendosi që në lojë të inkuadrojë bomberin Besart Ibraimi, ndërsa më pas edhe Marjan Radeskin, me inkuadrimin e të cilëve Shkëndija vuri një barazpeshë, madje ishte edhe kundërshtarë më i mirë, mirëpo duke mos arritur që të shënojë golin e sigurisë, i cili i mbajti pezull ata deri në minutat e fundit të takimit, kur vendasit në minutën e 6-të shtesë me anë të Kurtis Byrne realizuan edhe golin e katërt.
Fatmirësisht pas këtij goli shumë shpejtë erdhi edhe fërshëllima e fundit nga ana e arbitrit çek Orell, me ç’rast skuadra tetovare në fund edhe përkundër kësaj disfate të turpshme, u kualifikua për në raundin e dytë të garave në Ligën më prestigjioze europiane, Ligën e Kampionëve Europian. Megjithatë nga kjo disfatë trajneri Qatip Osmani dhe futbollistët e Shkëndijës do të duhet të nxjerrë një mësim të mirë, me qëllim që gabime të këtilla të mos përsëriten edhe në të ardhmen.