FC Shkupi pret Glasgou Renxhersin në stadiumin e qytetit pasditen e sotme në kuadër të xhiros së parë eliminatore në Liga Evropa. Vet përballja me gjigandët skocez jep eufori të madhe, ndërsa për tifo grupin “Shvercerat” kjo do të thotë më shumë se aq.
“Unë prej vitesh bëj tifo për Shkupin, prej vitesh jam pjesë e grupit “Shvercerat” tashmë viteve të fundit edhe udhëheqës i këtij grupi, ndërsa kur pas 14 viteve rikthehet klubi jonë i zemrës të luajë në Europë, kjo është diçka shumë e madhe për ne si tifoz dhe që jemi të dashuruar te ky klub. Unë personalisht kam jetuar për kësi lloj ndeshje, por besoj që edhe pjesëtarët tjerë të “Shvercerave”, por edhe shumë shkupjan tjerë, e kanë një ndjenjë të veçantë për këtë sfidë dhe me shumë mall e kemi pritur këtë ditë që ta shohim Shkupin në Europë. Për ne është thjeshtë ndeshja e jetës”, shprehet emocionalisht për “InfOSport.mk”, kryetari i “Shvercerave”, Jusuf Ramadani.
Kreu i tifo grupit të skuadrës “Bardhekaltër” bën apel deri tek të gjithë ata që e duan klubin e Shkupit, të vinë dhe ta përkrahin në stadium skuadrën.
“Shkupi është klub me traditë në futbollin e vendit tonë. Ndoshta viteve të fundit nuk kemi pasur rezultate si në kohërat e vjetra që jemi mësuar ta shohim Shkupin në maje të tabelës, por ia që sezonin e fundit me sponsorin e ri arritëm që të kapim pozitat që e rikthejnë klubin tonë në garat europiane. Dhe tash është momenti për t’i dhënë mbështetje lojtarëve tanë, ku iu bëj apel të gjithë atyre që edhe në qoftë se vetëm njëherë kanë qenë në stadium për ta ndjekur Shkupin, të vinë sot në numër sa më të madh stadium, për krenarinë e qytetit dhe shqiptarëve”, përfundon Jusufi.
Takimi Shkupi-Glasgou Renxhersi zhvillohet sot në stadiumin “Filipi i Dytë”, ndërsa tubimi i tifo grupit “Shvercerat” do të bëhet nga ora 14:00 në Sheshin Skenderbeu në Çarshinë e Vjetër./InfOSport.mk