Kampionati Botëror i vitit 2022 në Katar do të luhet nga data 21 nëntor, deri më datë 18 dhjetor dhe do të ndryshojë plotësisht panoramën e futbollit botëror. Konfirmimi ka ardhur sot nga numri një i FIFA-s, Xhani Infantino, i cili ka pranuar se ende nuk ka një vendim përfundimtar mbi numrin e skuadrave pjesëmarrëse, nëse do të jetë me 32 apo me 48 kombëtare, shkruan vipsport.
“Datat e Botërorit janë të mbyllura. Do të luhet në Katar nga 21 nëntori, deri më 18 dhjetor të viti 2022. Kampionatet kryesore janë të informuara dhe duhet të përshtatin kalendarët e tyre si pasojë e kësaj. Në fund të fundit është vendimi i duhur. Nuk mund të luash në qershor apo korrik dhe në nëntor e dhjetor, lojtarët janë të përgatitur mirë pasi është thuajse fillimi i sezonit”, – saktësoi presidenti i FIFA-s.
“Në muajt e ardhshëm do të mblidhemi me Konfederatat dhe do të marrim një vendim se me sa skuadra do të jetë. Për momentin luhet me 32 ekipe dhe ndarja e skuadrave është ajo aktuale. Nuk ka rënie cilësie nëse shtohet numri, mendoni që jashtë ishin Italia, Holanda, Kili që është fitues i Kupës së Amerikës, apo Kameruni që është kampion i Afrikës. Edhe Kroacia që shkoi në finale kaloi nëpërmjet play-off”, tha Infantino i cili është promotor i rritjes së numrit të skuadrave pasi shpreson që kështu të rritë mbështetësit e tij në votimet e ardhshme për president.
Përkundër asaj që mendohet gjerësisht, për vendet europiane kjo skemë me 48 skuadra nuk sjell ndonjë favor, pasi në total i shtohen vetëm 3 vende në krahasim me numrin aktual.